Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 3

3
1Këta janë pasardhësit e Aaronit dhe të Moisiut në kohën kur Zoti i foli Moisiut në malin Sinai.
2Këta janë emrat e bijve të Aaronit: Nadabi, i parëlinduri, Abihu, Eleazari dhe Ithamari.
3Këta janë emrat e bijve të Aaronit, të vajosur si priftërinj, që ai i shenjtëroi për të shërbyer si priftërinj.
4Nadabi dhe Abihu vdiqën para Zotit, kur ofruan një zjarr të palejueshëm para Zotit në shkretëtirën e Sinait; ata nuk patën bij. Kështu Eleazari dhe Ithamari shërbyen si priftërinj në prani të Aaronit, atit të tyre.
5Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
6"Afro fisin e levitëve dhe paraqite para priftit Aaron, që të vihet në shërbim të tij.
7Ata do të zbatojnë të gjitha udhëzimet e tij dhe do të kryejnë të gjitha detyrat që lidhen me tërë asamblenë para çadrës së mbledhjes, duke kryer shërbimin e tabernakullit.
8Do të kujdesen për të gjitha orenditë e çadrës së mbledhjes dhe do të përmbushin të gjitha detyrimet e bijve të Izraelit, duke kryer shërbimin e tabernakullit.
9Levitët do t'ua japësh Aaronit dhe bijve të tij; ata duhet t'u jepen plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit.
10Ti do të vendosësh Aaronin dhe bijtë e tij në mënyrë që ata të kryejnë funksionet e priftërisë së tyre; por çdo i huaj tjetër që afrohet do të dënohet me vdekje".
11Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
12"Ja, unë i mora levitët nga gjiri i bijve të Izraelit në vend të çdo të parëlinduri që çel barkun e nënës midis bijve të Izraelit; prandaj levitët do të jenë të mitë,
13sepse çdo i parëlindur është imi; ditën që godita të gjithë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, unë ia shenjtërova vetvetes të gjithë të parëlindurit në Izrael, qoftë të njerëzve, qoftë të kafshëve; ata do të jenë të mitë. Unë jam Zoti.
14Pastaj Zoti i foli Moisiut në shkretëtirën e Sinait, duke i thënë:
15"Bëj regjistrimin e bijve të Levit në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre; do të bësh regjistrimin e të gjithë meshkujve një muajsh e lart".
16Kështu Moisiu bëri regjistrimin sipas urdhrit të Zotit ashtu siç ishte urdhëruar.
17Këta janë bijtë e Levit, sipas emrave të tyre: Gershoni, Kehathi dhe Merari.
18Këta janë emrat e bijve të Gershonit, sipas familjeve të tyre: Libni dhe Shimei;
19bijtë e Kehathit, sipas familjeve të tyre, ishin Amrami, Itsehari, Hebroni dhe Uzieli;
20bijtë e Merarit, sipas familjeve të tyre, ishin Mahli dhe Mushi. Këto janë familjet e levitëve, në bazë të shtëpive të etërve të tyre.
21Nga Gershoni rrjedhin familja e libnitëve dhe familja e Shimetëve; këto janë familjet e gershonitëve.
22Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt e moshës një muajsh e lart, ishin shtatë mijë e pesëqind.
23Familjet e gershonitëve duhet të zinin vend prapa tabernakullit, në drejtim të perëndimit.
24I pari i shtëpisë së etërve të gershonitëve ishte Eliasafi, bir i Laelit.
25Detyrat e bijve të Gershonit në çadrën e mbledhjes kishin të bënin me tabernakullin, me çadrën dhe mbulesën e saj, me perden e hyrjes në çadrën e mbledhjes,
26me perdet e oborrit, me perden në hyrjen e oborrit rreth tabernakullit dhe rreth altarit dhe litarët e tij për tërë shërbimin që u takonte.
27Nga Kehathi rrjedhin familja e amramitëve, familja e Itseharit, familja e hebronitëve dhe familja e Uzielitëve; këto janë familjet e kehathitëve.
28Duke numëruar tërë meshkujt që ishin në moshë një muajsh e lart, kishte tetë mijë e gjashtëqind vetë, që kujdeseshin për shenjtëroren.
29Familjet e bijve të Kehathit duhet të zinin vend në krahun jugor të tabernakullit.
30I pari i shtëpisë së etërve të Kehathit ishte Elitsafani, bir i Uzielit.
31Detyrat e tyre kishin të bënin me arkën, me tryezën, me shandanin, me altarët dhe me orenditë e shenjtërores me të cilat ata kryenin shërbimin, me velin dhe gjithë punën që lidhet me këto gjëra.
32Princi i princave të levitëve ishte Eleazari, bir i priftit Aaron; ai mbikëqyrte ata që kujdeseshin për shenjtëroren.
33Nga Merari rrjedhin familja e mahlitëve dhe familja e mushitëve; këto janë familjet e Merarit.
34Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt nga mosha një muajsh e lart, ishin gjashtë mijë e dyqind.
35Prijësi i shtëpisë së etërve të familjeve të Merarit ishte Tsurieli, bir i Abihailit. Ata duhet të zinin vend në krahun verior të tabernakullit.
36Detyrat e caktuara për bijtë e Merarit kishin të bënin me dërrasat e tabernakullit, me traversat e tij, me shtyllat dhe bazat e tyre, me tërë veglat e tij dhe tërë punën që ka të bëjë me këto gjëra,
37me shtyllat e oborrit rreth e qark, me bazat e tyre, me kunjat dhe me litarët e tyre.
38Përpara tabernakullit, në krahun e tij lindor, përballë çadrës së mbledhjes, nga ana lindjes së diellit, duhet të zinin vend Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij; ata kujdeseshin për shenjtëroren duke plotësuar detyrat e bijve të Izraelit; por çdo i huaj tjetër që do të afrohej, do të dënohej me vdekje.
39Tërë levitët e regjistruar nga Moisiu dhe Aaroni në bazë të familjeve të tyre sipas urdhrit të Zotit, të gjithë meshkujt që nga mosha një muajsh e lart ishin njëzet mijë.
40Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Bëj regjistrimin e të gjithë të parëlindurve meshkuj ndër bijtë e Izraelit nga mosha një muajsh e lart dhe llogarit edhe emrat e tyre.
41Do t'i marrësh levitët për mua, unë jam Zoti, në vend të të gjithë të parëlindurve ndër bijtë e Izraelit dhe bagëtinë e levitëve në vend të të parëlindurve ndër bagëtitë e bijve të Izraelit".
42Kështu Moisiu bëri regjistrimin e të gjithë të parëlindurve ndër bijtë e Izraelit, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti.
43Të gjithë të parëlindurit meshkuj që u regjistruan duke numëruar emrat e tyre nga mosha një muajsh e lart, ishin njëzet e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tre.
44Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
45"Merr levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të Izraelit, dhe bagëtinë e levitëve në vend të bagëtisë së tyre; levitët do të jenë të mitë. Unë jam Zoti.
46Për shpengimin e dyqind e shtatëdhjetë e tre të parëlindur të Izraelit që e kalojnë numrin e levitëve,
47do të marrësh pesë sikla për frymë, sipas siklit të shenjtërores; sikli ka njëzet gere.
48Paratë do t'ia japësh Aaronit dhe bijve të tij për të shpenguar ata që e kalojnë numrin e tyre".
49Kështu Moisiu mori paratë e shpengimit nga ata që e kalonin numrin e të parëlindurve të shpenguar nga levitët;
50mori paratë e të parëlindurve të bijve të Izraelit; një mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë sikla, sipas siklit të shenjtërores.
51Pastaj Moisiu paratë e atyre që ishin shpenguar ia dha Aaronit dhe bijve të tij, sipas urdhrit të Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Aktualisht i përzgjedhur:

Numrat 3: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë