Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 49

49
1Pastaj Jakobi thirri bijtë e tij dhe tha: "Mblidhuni që unë t'ju njoftoj çfarë do t'ju ndodhë në ditët e ardhshme.
2Mblidhuni dhe dëgjoni, o bijtë e Jakobit! Dëgjoni Izraelin, atin tuaj!
3Ruben, ti je i parëlinduri im, forca ime, filli i fuqisë sime, i dalluar për dinjitet dhe për forcë.
4I rrëmbyer si uji, ti nuk do të kesh epërsinë, sepse hipe mbi shtratin e atit tënd dhe e përdhose. Ai hipi mbi shtratin tim.
5Simeoni dhe Levi janë vëllezër: shpatat e tyre janë vegla dhune.
6Mos hyftë shpirti im në mendjen e tyre, lavdia ime mos u bashkoftë me kuvendin e tyre! Sepse në mërinë e tyre kanë vrarë njerëz, në kryeneçësinë e tyre u kanë prerë leqet e këmbëve demave.
7Mallkuar qoftë mëria e tyre, sepse ka qenë e egër, dhe tërbimi i tyre sepse ka qenë mizor! Unë do t'i ndaj te Jakobi dhe do t'i shpërndaj te Izraeli.
8Judë, vëllezërit e tu do të të lavdërojnë; dora jote do të jetë mbi zverkun e armiqve të tu; bijtë e atit tënd do të përkulen para teje.
9Juda është një luan i ri; ti zë fill nga preja, biri im; ai përkulet, struket si një luan, si një luaneshë; kush guxon ta zgjojë?
10Skeptri nuk do t'i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu; dhe atij do t'i binden popujt.
11Ai e lidh gomarin e tij të vogël në pjergull dhe kërriçin e gomaricës së tij në pjergullën më të mirë; i lan rrobat e tij në verë dhe mantelin e tij në gjakun e rrushit.
12Ai i ka sytë të ndritura nga vera dhe dhëmbët e bardha nga qumështi.
13Zabuloni do të banojë në breg të deteve; dhe do të përbëjë një vendstrehim për anijet; kufiri i tij do të zgjatet drejt Sidonit.
14Isakari është një gomar i fuqishëm, i shtrirë nëpër vathë.
15Ai e pa që çlodhja është e mirë dhe që vendi është i këndshëm; ai përkuli kurrizin për të mbajtur peshën dhe u bë një shërbëtor i punës së detyruar.
16Dani do ta gjykojë popullin e tij, si një nga fiset e Izraelit.
17Dani do të jetë një gjarpër në rrugë, një nepërkë nëpër shteg, që kafshon thembrat e kalit, kështu që kalorësi rrëzohet së prapthi.
18Unë pres shpëtimin tënd, o Zot!
19Një bandë grabitësish do të sulmojë Gadin, por edhe ai do t'i sulmojë këmba këmbës.
20Nga Asheri do të vijë buka e shijshme dhe ai do të japë kënaqësira reale.
21Neftali është një drenushe e lënë e lirë, ai thotë fjalë të bukura.
22Jozefi është një degë e një druri frytdhënës; një degë e një druri frytdhënës që ndodhet pranë një burimi; degët e tij shtrihen mbi murin.
23Harkëtarët e kanë provokuar, i kanë hedhur shigjeta, e kanë ndjekur;
24por harku i tij ka mbetur i fortë; krahët e tij janë përforcuar nga duart e të Fuqishmit të Jakobit (e atij që është bariu dhe shkëmbi i Izraelit),
25nga Perëndia e atit tënd që do të të ndihmojë dhe nga Shumë i Larti që do të të bekojë me bekimet e qiellit nga lart, me bekimet e humnerës që ndodhet poshtë, me bekimet e sisëve dhe gjirit të nënës.
26Bekimet e atit tënd ua kalojnë bekimeve të të parëve të mi, deri në majat e kodrave të përjetshme. Ata do të jenë mbi kryet e Jozefit dhe mbi kurorën e atij që u nda nga vëllezërit e tij.
27Beniamini është një ujk grabitqar; në mëngjes ha gjahun dhe në mbrëmje ndan prenë.
28Tërë këta janë dymbëdhjetë fiset e Izraelit; dhe pikërisht këtë u tha ati i tyre kur i bekoi. I bekoi duke i dhënë secilit një bekim të veçantë.
29Pastaj Jakobi i urdhëroi duke thënë: "Unë jam duke u ribashkuar me popullin tim; më varrosni pranë etërve të mi në shpellën që ndodhet në arën e Efron hiteut,
30në shpellën që është në fushën e Makpelahut përballë Mamres, në vendin e Kanaanit, atë që Abrahami bleu në arën nga Efron hiteu, si vendvarrim, pronë e tij.
31Atje u varrosën Abrahami dhe Sara, gruaja e tij, aty u varrosën Isaku dhe Rebeka, e shoqja, dhe aty unë varrosa Lean.
32Ara dhe shpella që ndodhet aty u blenë nga bijtë e Hethit".
33Kur Jakobi mbaroi së dhëni këto urdhra bijve të tij, mblodhi këmbët në shtrat dhe vdiq; dhe u bashkua me popullin e tij.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zanafilla 49: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë