Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 3

3
Si fitohet urtia
1Biri im, mos i harro udhëzimet e mia
e mbaj në zemër urdhërimet e mia,
2se ditë të shumta, vite jete
e paqe do të të japin.
3Mos të lëntë mirësia, as besnikëria,
ndaj vari rreth qafës
e shkruaji mbi rrasën e zemrës sate,
4se do të gjesh përkrahje e pëlqim
para Perëndisë e para njerëzve.
5Beso në Zotin me gjithë zemër
e mos u mbështet në zgjuarsinë tënde.
6Mendo për të në të gjitha udhët e tua
e ai do të t'i drejtojë shtigjet.
7Mos të të duket vetja i urtë,
por druaj Zotin e largohu nga e keqja.
8Kjo do të jetë shërim për trupin tënd
e freskim për eshtrat e tua.
9Ndero Zotin me tërë begatinë tënde,
me frytet e para të çdo të vjele,
10se drithnikët e tu do të mbushen plot
e vozat e tua do të pëlcasin nga vera.
11Biri im, mos e shpërfill mësimin e Zotit
e mos u bezdis nga qortimi i tij,
12se Zoti e ndreq atë që e do,
porsi një atë birin e dashur.
Gëzimet e të urtit
13Lum njeriu që e ka gjetur urtinë,
lum ai që ka kapur arsyen,
14është më e vlefshme se argjendi,
më e dobishme se ari,
15më e çmueshme se margaritarët,
e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi.
16Në të djathtë mban jetëgjatësinë,
në të majtë pasurinë e nderin.
17Udhët e saj janë të këndshme,
tërë shtigjet e saj të paqme.
18Për kë e rrok atë, ajo është pema e jetës;
lum ai që kapet pas saj.
19 Zoti e themeloi tokën me urti
e me mençuri i nguliti qiejt.
20Me dijen e tij shpërthyen humnerat
e retë pikuan vesën.
21Biri im, mos i hiq sysh këto gjëra,
ruaj mençurinë e maturinë,
22se do të jenë jetë për ty,
stoli rreth qafës sate.
23Atëherë do të ecësh i sigurt udhës sate
e këmba jote nuk do të pengohet.
24Kur të biesh në shtrat, s'do të trembesh,
do të biesh e do të bësh gjumë të ëmbël.
25Mos ki frikë nga tmerri i beftë
a nga shkretimi i të paudhëve, kur të vijë,
26se Zotin pranë do ta kesh
e do të ta ruajë këmbën nga leqet.
27Po të jetë në dorën tënde,
mos ia moho të mirën atij që i takon.
28Po të kesh,
mos i thuaj të afërtit: «Shko e eja nesër, se do të t'jap».
29Mos kurdis të keqen kundër të afërtit tënd
që me ty banon i qetë.
30Mos u grind kot me asnjeri
nëse nuk të ka bërë keq.
31Mos e lakmo njeriun e dhunshëm
e mos ndiq udhët e tij,
32se Zoti ka neveri për dinakun,
por me të drejtin është i dashur.
33Në shtëpinë e të paudhit rëndon mallkimi i Zotit,
por ai bekon banesën e të drejtit.
34Me tallësit ai tallet,
por të përulurit i përkrah.
35Të urtët do të trashëgojnë nderin,
kurse të marrët turpin.

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë