Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kolosianëve 3

3
1Përderisa u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni gjërat që janë lart në qiej, atje ku ai rri ulur në të djathtën e Perëndisë. 2Mendoni për gjërat që janë lart në qiej dhe jo për ato që janë këtu poshtë në tokë. 3Sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj qëndron e fshehur me Krishtin te Perëndia. 4Kur të shfaqet Krishti, jeta juaj#3.4 dorëshk. të tjera: jonë, atëherë do të shfaqeni edhe ju bashkë me të në lavdi.
5Bëjini të vdesin gjërat tuaja tokësore: kurvërinë, ndyrësinë, epshet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari. 6Për shkak të këtyre gjërave do të vijë zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. 7Dikur edhe ju ecnit kësaj udhe, kur jetonit me këto gjëra. 8Por tani, hidhini tej të gjitha: zemërimin, mërinë, ligësinë, sharjet dhe fjalët e ndyra që nxirrni nga goja. 9Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse e keni zhveshur njeriun e vjetër, bashkë me sjelljet e tij, 10dhe keni veshur njeriun e ri, që përtërihet vazhdimisht, sipas shëmbëllimit të Perëndisë që e krijoi, që ta njihni plotësisht Perëndinë. 11Prandaj, nuk ka më helenë e judenj, të rrethprerë dhe të parrethprerë, barbarë, skitas, shërbëtorë e të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në çdo gjë.
12Perëndia ju ka thirrur, ju ka bërë të shenjtë dhe ju ka dashur, prandaj, vishuni me dhembshuri, me mirësi, me përulësi, me zemërbutësi dhe me zemërgjerësi. 13Durojeni dhe faleni njëri-tjetrin sa herë që dikush të ketë ankesë kundër ndonjë tjetri. Falni ashtu si edhe Zoti ju ka falur. 14Mbi të gjitha, kini dashuri, sepse dashuria do t'ju bashkojë në mënyrë të përsosur.
15Paqja e Krishtit#3.15 dorëshk. të tjera: e Perëndisë, në të cilën Perëndia ju ka thirrur të jeni të bashkuar si një trup i vetëm, mbretëroftë në zemrat tuaja. Jini mirënjohës! 16Fjala e Krishtit banoftë në ju me gjithë begatinë e saj. Mësoni e këshilloni njëri-tjetrin me urti! Këndojini me gjithë zemër Perëndisë psalme, himne e këngë shpirtërore! 17Gjithçka që thoni e gjithçka që bëni, ta bëni në emër të Zotit Jezu, duke falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë.
Detyrimet shoqërore
18Ju gra, nënshtrojuni burrave, siç ka hije në sytë e Zotit!
19Ju burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini të ashpër me to!
20Ju bij, bindjuni prindërve në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit!
21Ju etër, mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra!
22Ju skllevër, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj tokësorë, jo sa për sy e faqe për t'u pëlqyer njerëzve, por me thjeshtësi zemre dhe duke iu druajtur Zotit#3.22 dorëshk. të tjera: Perëndisë! 23Gjithçka që bëni, bëjeni me shpirt si ta bënit për Zotin e jo për njerëzit, 24sepse ju e dini se prej Zotit do të merrni si shpërblim trashëgimin e mbretërisë së tij. Në të vërtetë ju i shërbeni Zotit Krisht. 25Ai që bën padrejtësi do të shpaguhet për padrejtësinë që bëri. Perëndia nuk mban anë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Kolosianëve 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë