Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Amosi 1

1
1Fjalët e Amosit që ishte një blegtor nga Tekoaja; vegimi që pati për Izraelin në ditët e Uziahut, mbretit të Judës, në ditët e Jeroboamit, mbretit të Izraelit, dy vjet para tërmetit.
Gjykimi
2Ai tha:
«Zoti prej Sionit ulërin,
nga Jerusalemi jep kushtrimin.
Vajtojnë kullotat e bjeshkëve,
kreshtat e Karmelit fishken.
3Kështu thotë Zoti:
“Për tri shkeljet e Damaskut,
madje për katër,
s'do ta kthej ndëshkimin.
E shinë Gileadin
me shufra hekuri.
4Zjarr do të dërgoj kundër shtëpisë së Hazaelit,
që fortesat e Ben Hadadit t'i përpijë.
5Do t'i thyej shulat e Damaskut,
do t'i zhbij banorët e luginës së Avenit,
edhe mbajtësin e skeptrit të Bet Edenit.
Në Kir do të shpërngulet populli i Aramit,
thotë Zoti”.
6Kështu thotë Zoti:
“Për tri shkeljet e Gazës,
madje për katër,
s'do ta kthej ndëshkimin.
E shpërnguli popullin krejt,
e degdisi në Edom.
7Zjarr do të dërgoj kundër mureve të Gazës,
që fortesat t'ia përpijë.
8Do t'i zhbij banorët prej Ashdodit,
edhe mbajtësin e skeptrit të Ashkelonit.
Do ta kthej dorën kundër Ekronit,
teprica e Filistesë do të marrë fund,
thotë Zoti, Zoti im”.
9Kështu thotë Zoti:
“Për tri shkeljet e Tirit,
madje për katër,
s'do ta kthej ndëshkimin.
Ia dorëzuan Edomit popullin krejt,
besën e dhënë mes vëllezërve nuk e kujtuan.
10Zjarr do të dërgoj kundër mureve të Tirit,
që fortesat t'ia përpijë”.
11Kështu thotë Zoti:
“Për tri shkeljet e Edomit,
madje për katër,
s'do ta kthej ndëshkimin.
Të vëllanë e ndoqi me shpatë,
mëshirën e hodhi tej,
shqyen gjithmonë me furi,
zemërimin e mban përherë.
12Zjarr do të dërgoj kundër Temanit,
që fortesat e Bocrahut të përpijë”.
13Kështu thotë Zoti:
“Për tri shkeljet e bijve të Amonit,
madje për katër,
s'do ta kthej ndëshkimin.
Barkun e grave shtatzëna çanë në Gilead,
që të zgjeronin kufijtë e tyre.
14Zjarr do të ndez në muret e Rabahut,
që fortesat t'ia përpijë.
Ulërima në ditën e betejës,
furtunë në ditën e stuhisë.
15Mbreti i saj do të shpërngulet,
ai bashkë me princat e tij,
thotë Zoti”».

Aktualisht i përzgjedhur:

Amosi 1: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë