Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 8:1-17

Romakëve 8:1-17 AL1

Prandaj, tanimë nuk ka asnjë dënim për ata që i përkasin Krishtit Jezu, sepse ligji i Shpirtit që jep jetë përmes Krishtit Jezu, ju çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Atë që nuk mund ta bënte ligji për shkak të dobësisë njerëzore, e bëri Perëndia duke dërguar Birin e vet në përngjasim me dobësinë njerëzore mëkatare. Për sa i takon mëkatit, ai e ndëshkoi mëkatin në dobësinë njerëzore, në mënyrë që kërkesat e drejta të ligjit të përmbushen në ne që nuk jetojmë sipas dobësisë njerëzore, por sipas Shpirtit. Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, e kanë mendjen te gjërat e dobësisë njerëzore, por ata që jetojnë sipas Shpirtit, e kanë mendjen te gjërat e Shpirtit. Mendja te gjërat e dobësisë njerëzore të çon në vdekje, ndërsa mendja te gjërat e Shpirtit të çon në jetë dhe paqe. Prandaj mendja te gjërat e dobësisë njerëzore është në armiqësi me Perëndinë, pasi nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë. Ju nuk jetoni sipas dobësisë njerëzore, por jetoni në Shpirt, përderisa Shpirti i Perëndisë banon në ju. Nëse ndonjë nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Krishtit. Nëse Krishti është në ju, trupi juaj do të vdesë për shkak të mëkatit, por Shpirti ju jep jetë, për shkak se Perëndia ju ka bërë të drejtë. Nëse Shpirti i atij që e ngjalli Jezuin prej të vdekurve banon në ju, atëherë Perëndia që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë përmes Shpirtit të tij që banon në ju. Prandaj, o vëllezër, detyrimi që kemi nuk është kundrejt dobësisë njerëzore për të jetuar sipas saj. Nëse jetoni sipas dobësisë njerëzore, ju do të vdisni; por nëse me anë të Shpirtit do t'i shkatërroni për vdekje veprat e dobësisë njerëzore, ju do të jetoni. Ata që udhëhiqen prej Shpirtit të Perëndisë janë bij të Perëndisë. Sepse Shpirti që keni marrë, nuk është një shpirt që ju bën skllevër për të pasur sërish frikë, por keni marrë Shpirtin që ju ka birësuar, nëpërmjet të cilit thërrasim: Abba, o Atë! Ky Shpirt dëshmon me shpirtin tonë se jemi bij të Perëndisë. Nëse jemi bij, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë si dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, sepse, nëse vuajmë bashkë me të, edhe do të përlëvdohemi bashkë me të.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë