YouVersion Logo
Search Icon

Romakëve 9

9
Perëndia zgjedh Izraelin
1Po ju them të vërtetën dhe kam Krishtin si dëshmitar se nuk gënjej. Për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja ime e udhëhequr nga Shpirti i shenjtë, 2se kam një pikëllim të madh dhe një dhimbje të pareshtur në zemër. 3Do të doja të isha unë i mallkuar nga Perëndia dhe i ndarë nga Krishti për hir të vëllezërve të mi sipas mishit. 4Ata janë izraelitë e të birësuar nga Perëndia. Atyre u janë dhënë lavdia e Perëndisë, besëlidhjet, ligji i Moisiut, shërbesa e adhurimit të Perëndisë dhe premtimet e tij. 5Ata janë pasardhësit e patriarkëve dhe prej tyre, për nga mishi, rrjedh edhe Krishti, që është mbi të gjithë, Perëndi i bekuar në amshim. Amen!
6Fjala e Perëndisë nuk ka dështuar, sepse jo të gjithë ata që rrjedhin nga Izraeli janë izraelitë. 7As ata që rrjedhin nga fara e Abrahamit nuk janë të gjithë bijtë e tij, por pasardhësit e tu do të rrjedhin nga fara e Isakut. 8Kjo do të thotë se nuk janë bijtë për nga mishi ata që janë bij të Perëndisë, por janë bijtë e premtimit ata që njihen si pasardhës. 9Sepse kjo është fjala e premtimit: në kohën e duhur do të vij te ti dhe Sara do të bëhet me djalë.
10Jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga po ky burrë, nga Isaku, ati ynë. 11Binjakët nuk kishin lindur ende dhe nuk kishin bërë ndonjë të mirë a të keqe kur Perëndia, për të treguar se qëllimi i tij mbështetet vetëm në zgjedhjen e tij, 12jo te veprat e njeriut, por tek ai që e thërret, i tha Rebekës: më i madhi do t'i shërbejë më të voglit. 13Sikurse është shkruar:
Jakobin e desha,
por Esaun e urreva.
14Ç'të themi pra? A është Perëndia i padrejtë? Larg qoftë! 15Sepse ai i thotë Moisiut:
do të kem mëshirë
për atë që dua të mëshiroj
e do të kem dhembshuri
për atë që dua të kem dhembshuri.
16Pra, nuk varet as nga vullneti e as nga përpjekjet e njeriut, por nga Perëndia që ka mëshirë. 17Sepse Shkrimi i thotë faraonit: pikërisht për këtë gjë të kam lartësuar, që të shfaq fuqinë time në ty e që të shpallet emri im në të gjithë tokën. 18Kështu pra, Perëndia ka mëshirë për atë që do dhe bën kokëfortë atë që do.
Zemërimi dhe mëshira e Perëndisë
19Por ti do të më thuash: «Pse atëherë Perëndia ende na fajëson? Kush mund t'i bëjë ballë vullnetit të tij?». 20Po kush je ti, o njeri, që t'i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë krijesa krijuesit: «Përse më ke bërë kështu?». 21A nuk ka të drejtë poçari të bëjë nga e njëjta masë argjile një enë të kushtueshme dhe një tjetër të zakonshme?
22Megjithëse Perëndia donte të shfaqte zemërimin e tij dhe të bënte të njohur pushtetin e tij, ai u tregua shumë i duruar me enët që e meritonin zemërimin e tij dhe që ishin bërë për t'u shkatërruar. 23Ai donte edhe t'u bënte të njohur pasuritë e lavdisë së tij atyre të cilëve u tregoi mëshirën e tij dhe që i parapërgatiti për lavdi. 24Këta jemi ne që na thirri Perëndia, jo vetëm nga judenjtë, por edhe nga kombet. 25Sikurse thotë te Hosea:
atë që nuk ishte populli im,
do ta quaj populli im;
atë që nuk ishte e dashur,
do ta quaj të dashur.
26 Dhe në vendin ku u qe thënë:
«Ju nuk jeni populli im»,
atje ata do të quhen
bij të Perëndisë së gjallë.
27Edhe Isaia thërret për Izraelin:
sikur numri i bijve të Izraelit
të jetë si rëra e detit,
vetëm një pjesë e mbetur prej tyre
do të shpëtohet.
28 Sepse Zoti do ta përmbushë fjalën e tij
me shpejtësi mbi tokë.
29Dhe sikurse kishte parathënë Isaia:
nëse Zoti i ushtrive
nuk do të na linte pasardhës,
do të ishim bërë si Sodoma
e do të ngjanim me Gomorrën.
Izraeli dhe ungjilli
30Ç'të themi, pra? Kombet që nuk kërkonin të bëheshin të drejtë nga Perëndia, u bënë të drejtë përmes besimit, 31ndërsa Izraeli që kërkonte një ligj për t'u bërë i drejtë, nuk e përmbushi ligjin. 32Përse? Sepse donte të bëhej i drejtë jo përmes besimit, por përmes veprave. Kështu u penguan te guri i pengesës. 33Sikurse është shkruar:
ja, po vë në Sion një gur pengese,
një shkëmb që i rrëzon.
Kushdo që beson në të,
nuk do të turpërohet.

Currently Selected:

Romakëve 9: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy