Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Malakia 1

1
1Orakulli i fjalës të Zotit iu drejtua Izraelit me anë të Malakias.
2"Unë ju kam dashur", thotë Zoti. Por ju thoni: "Si na ke dashur?". "Vallë Esau nuk ishte vëllai i Jakobit?", thotë Zoti. "Megjithëkëtë, unë e kam dashur Jakobin
3dhe e kam urryer Esaun; malet e tij i kam kthyer në shkreti dhe trashëgiminë e tij ua kam dhënë çakejve të shkretëtirës.
4Edhe sikur Edomi të thotë: "Ne u shkatërruam, por do të rifillojmë ndërtimin e vendeve të shkretuara"", kështu thotë Zoti i ushtrive, "ata do të rindërtojnë, por unë do të shemb; dhe do të emërtohen Territori i paudhësisë dhe populli kundër të cilit Zoti do të jetë përjetë i indinjuar.
5Sytë tuaj do të shikojnë dhe ju do të thoni: "Zoti u përlëvdua përtej kufijve të Izraelit"".
6"Një bir nderon të atin dhe një shërbëtor zotin e tij. Në se unë, pra, jam ati, ku është nderi im? Dhe në se jam zot, ku ma kanë frikën?", iu thotë Zoti i ushtrive juve, priftërinjve, "që përbuzni
7Ju ofroni mbi altarin tim ushqime të ndotura, dhe megjithatë thoni: "Në ç'mënyrë të kemi ndotur?". Kur thoni: "Tryeza e Zotit është e përbuzshme".
8Kur ofroni për flijim një kafshë të verbër, a nuk është keq? Kur ofroni një kafshë të çalë ose të sëmurë, nuk është keq? Paraqite, pra, te qeveritari yt. A do të jetë i kënaqur prej teje? Do të të pranojë me kënaqësi?", thotë Zoti i ushtrive.
9Tani, pra, kërkoni favorin e Perëndisë, që ai të ketë mëshirë për ne. "Duart tuaja e kanë bërë këtë, a do t'ju pranojë vallë me kënaqësi?", thotë Zoti i ushtrive.
10"Oh, sikur të paktën dikush prej jush t'i mbyllte dyert! Atëherë nuk do ta ndiznit zjarrin kot mbi altarin tim. Unë nuk kam asnjë kënaqësi me ju", thotë Zoti i ushtrive, "dhe as që pëlqej çfarëdo oferte nga duart tuaja.
11Sepse, që nga lind dielli e deri atje ku perëndon, emri im do të jetë i madh midis kombeve dhe në çdo vend do t'i ofrohet temjan emrit tim dhe një blatim i pastër, sepse emri im do të jetë i madh midis kombeve", thotë Zoti i ushtrive.
12"Por ju e përdhosni kur thoni: "Tryeza e Zotit është e ndotur dhe fryti i saj, domethënë ushqimi i saj, është i përbuzshëm".
13Ju thoni gjithashtu: "Ah, sa u lodhëm!", dhe e trajtoni me përçmim", thotë Zoti i ushtrive. "Kështu ju sillni kafshë të vjedhura, të çala ose të sëmura; kjo është oferta që sillni. A do të mund ta pranoja nga duart tuaja?", thotë Zoti.
14Mallkuar qoftë hileqari që ka një mashkull në kopenë e tij dhe bënë një premtim solemn, por flijon për Zotin një kafshë me të meta. Sepse unë jam një Mbret i madh", thotë Zoti i ushtrive, "dhe emri im është i tmerrshëm midis kombeve".

Aktualisht i përzgjedhur:

Malakia 1: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë