Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 1

1
1Ishte një njeri nga Ramathaim-Tsofini, nga zona malore e Efraimit, që quhej Elkanah; ishte bir i Jerohamit, bir i Elihut, bir i Tohut dhe bir i Efraimitit Tsuf.
2Ai kishte dy gra: e para quhej Ana dhe tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, kurse Ana nuk kishte.
3Çdo vit ky njeri nisej nga qyteti i tij për të adhuruar dhe për t'i ofruar flijime Zotit të ushtrive në Shiloh, ku gjendeshin dy bijtë e Efraimit, Hofni dhe Finehasi, priftërinj të Zotit.
4Kur i vinte dita Elkanahut të ofronte flijimin, ai kishte zakon t'u jepte pjesën që u takonte gruas së tij Penina dhe pjesët gjithë bijve dhe bijave të tij;
5por Anës i jepte një pjesë të dyfishtë, sepse e donte Anën, megjithëse Zoti ia kishte mbyllur barkun.
6Por shemra e saj e ngacmonte vazhdimisht për ta zemëruar, sepse Zoti ia kishte mbyllur barkun.
7Kështu ndodhte çdo vit; sa herë që Ana ngjitej në shtëpinë e Zotit, Penina e ngacmonte; prandaj ajo qante dhe nuk hante më.
8Atëherë burri i saj Elkanahu i tha: "Ana, pse qan? Pse nuk ha? Pse është trishtuar zemra jote? A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?".
9Pasi hëngrën dhe pinë në Shiloh, Ana u ngrit. Prifti Eli ishte ulur mbi ndenjësen që ndodhet në hyrje të tabernakullit të Zotit.
10Në trishtimin e shpirtit të saj i lutej Zotit duke qarë me dënesë.
11Pastaj lidhi një kusht, duke thënë: "O Zot i ushtrive, në se vërtetë interesohesh për fatkeqësinë që i ka rënë shërbëtores sate, në se ti më mban mend mua dhe nuk e harron shërbëtoren tënde, por dëshiron t'i japësh shërbëtores sate një fëmijë mashkull, unë do t'ia jap Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisku nuk ka për të kaluar mbi kokën e tij".
12Ndërsa ajo e zgjaste lutjen e saj përpara Zotit, Eli shikonte me kujdes gojën e saj.
13Ana fliste në zemër të saj; vetëm buzët i lëviznin, por zëri saj nuk dëgjohej; pikërisht për këtë Eli mendonte që ishte e dehur.
14Kështu Eli i tha: "Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë pija!".
15Por Ana u përgjigj dhe tha: "Jo, imzot, unë jam një grua e vrarë në frymë dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit.
16Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qenë dhembja dhe hidhërimi i pamasë që më shtynë të flas deri tani".
17Atëherë Eli iu përgjigj: "Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit të dhëntë atë që i kërkove".
18Ajo u përgjigj: "Shërbëtorja jote pastë gjetur hirin në sytë e tu". Kështu gruaja iku në rrugën e saj, nisi të ushqehet dhe pamja e saj nuk ishte më e trishtuar.
19Ata u ngritën herët në mëngjes dhe ranë përmbys përpara Zotit; pastaj u nisën dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu njohu Anën, bashkëshorten e tij, dhe Zoti u kujtua për të.
20Në kohën e caktuar, Ana mbeti me barrë dhe lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Samuel, duke thënë: "Sepse ia kërkova Zotit".
21Atëherë burri i saj Elkanahu u ngjit me gjithë familjen e tij për t'i ofruar Zotit flijimin vjetor dhe për të plotësuar kushtin e lidhur.
22Por Ana nuk u ngjit, sepse i tha burrit të saj: "Unë nuk do të ngjitem derisa fëmija të jetë zvjerdhur; atëherë do ta çoj me qëllim që ta paraqes para Zotit dhe të mbetet pranë tij përgjithnjë".
23Burri i saj, Elkanahu, iu përgjigj: "Bëj si të të duket më mirë; qëndro derisa të të jetë zvjerdhur, mjaft që Zoti ta mbajë fjalën!". Kështu gruaja mbeti në shtëpi dhe i dha gji birit të saj derisa ky u zvordh.
24Mbasi e zvordhi e mori me vete, bashkë me tri dema të vegjël, një efë mielli dhe një calik verë; dhe i çoi në shtëpinë e Zotit në Shiloh. Djali ishte akoma shumë i vogël.
25Pastaj ata flijuan një dem dhe ia çuan djalin Elit.
26Ana i tha: "Imzot! Ashtu siç është e vërtetë që jeton shpirti yt, o imzot, unë jam ajo grua që rrinte këtu, afër teje, dhe i lutej Zotit.
27Jam lutur për të pasur këtë djalë, dhe Zoti më dha atë që i kisha kërkuar.
28Prandaj edhe unë ia fal Zotit; derisa të rrojë, ai do t'i kushtohet Zotit". Dhe aty ranë përmbys para Zotit.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 i Samuelit 1: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë